4538 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Delegacioni i Kosovës takohet me senatorët amerikanë në Forumin e Sigurisë në Kanada

Halifax, 21 nëntor 2021 - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla si dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë vizitës në Kanada, në margjina të Forumit Ndërkombëtar për Siguri në Halifax ka takuar një delegacion të Senatit amerikan në përbërje të të cilit ishin senatorët Jeanne Shaheen, Joni Ernst, Chris Coons dhe James Risch.

Presidentja Osmani ka falënderuar senatorët amerikanë për mbështetjen që i ka dhënë dhe po i jep ShBA-ja vendit tonë dhe ka potencuar se marrëdhëniet me këtë shtet mik janë ekzistenciale dhe strategjike. Ajo vlerësoi se Kosova është shembull i suksesshëm i mbështetjes amerikane.

Më tej, Presidentja Osmani i ka njoftuar senatorët amerikanë në lidhje me përpjekjen e Kosovës për reforma gjithëpërfshirëse, të cilat synojnë posaçërisht forcimin e sundimit të rendit e ligjit si dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të huaja.

Në këtë takim, Presidentja ka potencuar se diskursi nxitës nga Serbia është burim i destabilizimit në rajon, njësoj sikurse edhe tendencat ruse për shtrirjen e ndikimit negativ në rajon. Ajo theksoi se ky ndikim synon zhbërjen e arritjeve të SHBA-ve, BE-se dhe NATO-s në rajon lidhur me paqen, stabilitetin, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Senatorët falënderuan Kosovën për pranimin e refugjatëve afganë dhe realizimin e misionit të parë paqësor jashtë vendit të ushtarëve të FSK-së përkrahë Ushtrisë Amerikane në Kuvajt, duke rikonfirmuar kështu partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Amerikës dhe kontributin për paqe e siguri në botë.

Foto Galeria