4541 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor zhvilluan sot “Sesionin Informativ për thirrjen e IV-të për projekte rajonale të Fondit të Ballkanit Perëndimor”

Prishtinë, 25 nëntor 2021 - Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor, kanë mbajtur sot “Sesionin Informativ për thirrjen e IV-të për projekte rajonale të Fondit të Ballkanit Perëndimor”.

Me këtë rast zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, duke folur për rëndësinë që ka Fondi i Ballkanit Perëndimor, ka theksuar se zbatimi i misionit të Fondit është zhvillimi i bashkëpunimit rajonal.

“Kosova ka mirëpritur Fondin dhe ka treguar gatishmërinë e saj për të ngritur bashkëpunimin rajonal. Këtë më së miri e demonstron numri i madh i aplikacioneve të organizatave të shoqërisë civile të Kosovës që ishin pjesëmarrës në thirrjet e mëparshme. Është dëshmuar se shoqëria civile në Kosovë është shumë e përgatitur, ka ekspertë të mirë në përgatitjen e projekt -propozimeve si dhe ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm me organizata nga i gjithë rajoni”, ka vlerësuar zëvendësministrja Gashi.

Duke kujtuar faktin se Kosova është kontribuuese e përbashkët me shtetet tjera anëtare në FBP, zëvendësministrja Gashi i ka ftuar përfaqësuesit e shoqërisë civile që të aplikojnë me projektet e tyre në mënyrë që të kontribuojnë në bashkëpunimin rajonal dhe lidhjet e ngushta mes njerëzve në të gjithë rajonin.

“Jam e sigurt se aktivitetet e mbështetura, por edhe idetë dhe lidhjet tuaja të paraqitura në projektet tuaja, do të ndihmojnë në ndjekjen e qëllimeve të bashkëpunimit rajonal dhe kemi besim të plotë se puna dhe interesi juaj i treguar do të sjellë ndryshime pozitive në rajon”, është shprehur zëvendësministrja Gashi.

Për përfitimet që mund t’i ketë shoqëria civile nga Fondi i Ballkanit Perëndimor ka folur edhe drejtori i këtij fondi, z. Gjergj Murra. Derisa ka përmendur aplikimet e kaluara, Murra ka treguar se një numër i konsiderueshëm i tyre janë nga Republika e Kosovës e që sipas tij ky është tregues së shoqëria civile në Kosovë është e gatshme për bashkëpunim të jashtëm.

“Pra ky fond ka për qëllim zgjerimin e partnerëve të bashkëpunimit, prandaj ju mund të jeni duke kërkuar partnerë të tillë dhe të tjerët mund të jenë duke ju kërkuar juve si partnerë në këtë proces të aplikimit. Pra qëllimi i fondit është si të krijojmë një lidhje të shoqërisë civile në rajonin tonë”, ka thënë Murra.

Nga ana tjetër, përmes lidhjes virtuale, për rëndësinë e FBP ka folur edhe z. Dario Di Benedetto, udhëheqës i ekipit të Departamentit të Zhvillimit Social - Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ai ka vlerësuar se projektet e tilla ndihmojnë bashkëpunimin e shoqërisë civile nga i gjithë rajoni duke përfshirë fusha të ndryshme.

Foto Galeria