4657 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Zëvendësministrja Gashi merr pjesë në Konferencën e 12-të të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë (AMFE)

30 prill 2022 - Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Liza Gashi ka marrë pjesë sot në Konferencën e 12-të të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë(AMFE).

Gashi ka thënë së është kënaqësi e veçantë ti drejtohet kësaj Federate, si zëvendësministre dhe si një avokuese për të drejtat e diasporës për vite me radhë.

Në fjalën e saj, Gashi ka thënë se diaspora janë diplomatët më të mirë të Kosovës, të cilët në mënyrë direkte përfaqësojnë vendin nga janë, nëpërmjet angazhimeve të palodhshme dhe lidhjeve ndërpersonale që krijojnë në vendet pritëse.

“Profesionistët e mërgatës, luajnë një rol të veçantë në këtë aspekt sepse në organizimet e ndryshme të tyre kanë qenë iniciatorë të shumë nismave të rëndësishme. Kështu është edhe rasti i mjekëve shqiptarë, të cilët përvojën dhe diturinë në fushën mjekësore janë duke e praktikuar në Evropë dhe botë”, ka thënë zëvendësministrja.

Duke u shprehur e lumtur për arritjet e Federatës, ajo  ka theksuar se lëvizja më e madhe e sektorit mjekësor nga Kosova është bërë për në Gjermani, për shkak të kërkesës për profile të caktuara të specializuara nga ky vend.

Megjithatë, Gashi ka thënë se si Ministri e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, synojnë kthimin e dijes në vendin e origjinës, duke bërë hapa konkret që ta ndalojnë ikjen e ‘trurit’ nga vendi.

“Ne si ministri jemi duke punuar që sa më shumë të luftojmë këtë dukuri, duke filluar programin Citizen Diplomacy Fellowship, i cili do të sjellë studentë nga diaspora në MPJD për të bërë hulumtime, punë praktike dhe për të sjellë përvojat e tyre në Kosovë.”, është shprehur Gashi.

Ajo po ashtu ka informuar pjesëmarrësit  e Konferencës, së Qeveria e Republikës së Kosovës është duke lansuar Fondin e Ekselencës, nëpërmjet të cilit do të angazhojë profesionistë nga diaspora për të punuar brenda institucioneve, duke iu siguruar edhe kompensim të mjaftueshëm në krahasim me sfidën e kthimit në Kosovë.

Zëvendësministrja Gashi ka thënë se janë duke punuar edhe në konceptualizimin e një platforme që do të sillte deri te shkëmbimi i ideve ndërmjet punëtorëve në diasporë dhe tregut të punës në Kosovë, ku ndërmarrjet me staf deficitar mund të gjejnë përkrahje apo mund t’i punësojnë ata nga diaspora.

Foto Galeria