4659 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Zëvendësministri Ahmeti pret në takim delegacionin e Unionit Arab, konkretizojnë fushat e bashkëpunimit me Kosovën

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, ka pritur sot në një takim delegacionin e Unionit Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis, që po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në “Konferencën Ndërkombëtare Arabo-Evropiane: Ndikimi i ndryshimeve klimatike në degradimin e tokës”, që do të mbahet më 7 dhe 8 maj në Prishtinë.

Zëvendësministri Ahmeti është shprehur i lumtur që një delegacion i tillë ndodhet në Prishtinë, duke theksuar se Kosova si shtet ka ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me vendet arabe.
 
“Ne jemi përjetësisht falënderues për ndihmën që vendet arabe i kanë dhënë Kosovës para dhe pas lufte, para dhe pas pavarësisë dhe një gjë të tillë po e vazhdojnë ende. Jemi gjithashtu të lumtur që si shtet kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyra me vendet arabe”, është shprehur Ahmeti.
 
Zëvendësministri Ahmeti me theks të veçantë ka përmendur thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes për Kosovën, përfshirë energjinë e qëndrueshme, bujqësinë, arsimin dhe mjedisin.
 
Sekretari i Përgjithshëm i Unionit, z.Ashraf Abdel Aziz, duke e falënderuar z.Ahmeti për mikpritje, ka thënë se thellimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe shteteve arabe është pikërisht arsyeja e vizitës në Kosovë si dhe organizimit të Konferencës Arabo-Evropiane.
 
Ai ka shprehur interesimin për hapa konkretë për bashkëpunim sidomos në fushën e energjisë të qëndrueshme, për të cilën ka thënë se kanë eksperiencë të kamotshme.
 
Gjithashtu përfaqësuesi i shtetit të Egjiptit nga ky delegacion, ka thënë se janë të gatshëm të bëjnë hapat e parë në krijimin e një lidhjeje bashkëpunimin në fushën e bujqësisë.
 
Zëvendësministri Ahmeti e ka informuar delegacionin për punën që Qeveria e Republikës së Kosovës është duke bërë në finalizimin e strategjisë për energji, për ta kaluar atë në energji të qëndrueshme, dhe gjithashtu për zhvillimin ekonomik që shteti i Kosovës ka shënuar në vitin e fundit.
 
“Konferenca Ndërkombëtare Arabo-Evropiane: Ndikimi i ndryshimeve klimatike në degradimin e tokës” është organizim i Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Unionin Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis.
 
Delegacioni do të qëndrojë në Kosovë deri më 10 maj 2022 dhe përfaqësuesit e këtij delegacioni do të zhvillojnë takime me udhëheqës të institucioneve të ndryshme të vendit si dhe do të realizojnë edhe vizita studimore nëpër Kosovë.

Foto Galeria