4737 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Ministrja Gërvalla pret në takim ministrin e Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu - dy shtetet nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Donika Gërvalla, e ka pritur sot në takim homologun e saj, ministrin e Jashtëm turk, z. Mevlüt Çavuşoğlu.

Në konferencën pas takimit, ministrja Gërvalla e ka falënderuar homologun turk për mbështetjen që shteti i tij i ka dhënë Republikës së Kosovës në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe në shumë fusha të tjera.

Gërvalla ka thënë se gjithnjë është kënaqësi të presësh një homolog dhe një mik të mirë të Kosovës, i cili e njeh mirë historinë e shtypjes dhe gjenocidit në Kosovë dhe, në të gjitha lëvizjet e tij, nuk e harron përvojën jo vetëm historike, por edhe shumë të freskët të gjenocidit në rajon.

Duke folur për zhvillimet në rajon, me theks të veçantë për situatën në Ukrainë, ministrja Gërvalla ka thënë se Republika e Kosovës i vlerëson Rusinë dhe Serbinë si faktor destabilisues.

“Pozicioni i Kosovës në këtë çështje është i qartë: Rusinë, por edhe Serbinë e shohim jo vetëm si faktor agresiv, por edhe destabilizues për  gjithë rajonin tonë. Shpresojmë që përpjekjet për ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, të NATO-s, por edhe të Turqisë do të kontribuojnë që Serbisë dhe separatistëve serbë në Bosnjë dhe Hercegovinë t'u pamundësohet që, nën hijen e agresionit rus në Ukrainë dhe me ndihmën e Rusisë, t'i destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore”, tha Gërvalla.

Shefja e diplomacisë, gjithashtu,  ka thënë se me homologun turk ka biseduar edhe për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, krijimin e mundësive për më shumë investime direkte turke në Kosovë dhe përdorimin maksimal të potencialit të ofruar në kuadër të Marrëveshjes së tregtisë së lirë, e cila ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2019.

Ministri Çavuşoğlu, duke e falënderuar ministren Gërvalla për mikpritjen, theksoi se Republika e Kosovës është vend mik dhe se shteti i tij e mbështet rrugën euroatlantike të Kosovës.

“Dua ta përsëris qëndrimin tonë për mbështetjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës, si dhe integrimin e saj në institucione ndërkombëtare dhe organizata euroatlantike”, ka thënë Çavuşoğlu.

Ai, po ashtu, ka thënë  se synojnë investime në Kosovë dhe se po i shohin mundësitë, veçanërisht për investime në fushën e energjisë.

Kosova dhe Turqia, paraprakisht,  nënshkruan marrëveshje në fushën e aviacionit, sipas së cilës do të rritet numri i frekuencave të  fluturimeve ndërmjet  dy shteteve.

Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Jashtëm turk, z. Çavuşoğlu, dhe ministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, z.Liburn Aliu.

Foto Galeria