Sot bëhet një vit, qëkur Rusia e filloi luftën kundër Ukrainës, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.
Që nga dita e parë e pushtimit nga Putini, Republika e Kosovës ka qëndruar me Ukrainën dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri në arritjen e fitores së plotë. Bota e qytetëruar dhe demokratike nuk do ta pranojë kurrë agresionin ndaj një vendi fqinjë paqësor. Të gjitha vendet e civilizuara duhet të vendosin sanksione ndaj Rusisë për veprimet e saj.
Ne vazhdojmë t’i mbështetim përpjekjet e Ukrainës që të mbrohet kundër agresionit rus. Populli i Kosovës e ka ndier dhimbjen e okupimit dhe ne qëndrojmë përkrah Ukrainës në luftën e saj për liri. Populli i Ukrainës meriton të jetojë në paqe, siguri dhe liri.
Derisa i kujtojmë viktimat e luftës në Ukrainë, ne dënojmë fuqishëm shkeljen flagrante të së drejtës ndërkombëtare nga Rusia dhe agresionin e vazhdueshëm ndaj fqinjit të saj. Ata që e filluan këtë luftë, duhet të vihen para drejtësisë për krimet e kryera.